
Në sheshin “Skenderbeu” në Dibër, SHKA “Dibra e Madhe-Nëntë Malet e Dibrës” dhe Shoqata për Shkencë dhe Kulturë “Pellazgët” Tetovë, organizuan manifestimin mbarëkombëtar “Dita e Ksulës” (Plisit). Qëllimi i këtij organizimi është promovimi i Ksulës (plisit) të dibranëve dhe ruajtja e kësaj tradite edhe nga brezat e rinj, njofton Portalb.mk.
Ky organizim filloi me një ecje madhështore nëpër rrugët e Dibrës, ku të pranishmit, të veshur me kostume kombëtare, shpalosën bukurinë e trashëgimisë sonë kulturore. Flamujt kuq e zi valëviteshin me krenari, ndërsa tingujt e lodrave dhe këngëve tradicionale e bënë atmosferën të elektrizuar. Të gjithë, nga fëmijët e vegjël deri te të moshuarit, ndiheshin pjesë e diçkaje të madhe, të lashtë dhe të përjetshme.
Ky aktivitet u mbajt nën organizimin e palodhur të Prof. Dr. Shefki Selami Poti, dhe SHKA “Dibra e Madhe” me kryetarin Miçe Duka. Kjo festë e mrekullueshme mblodhi së bashku shqiptarë nga të gjitha trojet, duke krijuar një atmosferë që e mbushi zemrën me krenari dhe emocion.
Miqe Duka kryetar i SHKA “Dibra e Madhe” njëherit nikoqir i këtij aktiviteti, përshëndeti të pranishmit, ku në fjalën e tij uroi mirëseardhje të gjithë pjesmarësve në këtë aktivitet.
“Është një ditë shumë e veçant që do të hyn në histori. Nëntë Malet e Dibrës që kan bërë luftë, kan bërë luftë me plisa, dhe martesat të cilat janë bërë në atë kohë janë bërë me plisa. Kjo ngjarje ka një histori të veçantë për gjithë popullin shqiptar”, deklaroi Miqe Duka kryetar i SHKA “Dibra e Madhe”.
Kryetari i Shoqatës për Kulturë dhe Shkencë -Pellazgët, Tetovë, Shefki Selami njëherit organizator këtij manifestimit përshëndeti të gjithë ata të cilët e nderuar këtë aktivitet ku tha se sot po shënojnë një festë të madhe për gjithë ata.
“Jemi në një festë shumë të madhe, simbolin më të madh Kombëtar që krahasohet me flamurin me gjuhën dhe me kombin, ai është plisi ose kësula që ne e mbajmë në kokat tona” tha Shefki Selami, kryetar i Shoqatës për Kulturë dhe Shkencë “Pellazgët”, Tetovë.
Hekuran Duka kryetar i Komunës së Dibrës, në profilin e tij në facebook ka shënuar “Të veshur me veshje kombëtare dhe kësula (plisa) në kokë, shumë pjesëmarrës e shënuan “Ditën e Plisit” edhe në komunën e Dibrës.
I gjithë aktiviteti kaloi në një atmosferë festive ku u ngrit lartë rëndësia e plisit si pjesë e identifikimit kombëtar”, ka shënuar Hekuran Duka, kryetar i Komunës së Dibrës.
Prej momenteve më të veçanta të këtij aktiviteti ishte kur grupet artistike performuan valle e këngë që ndërthurën traditën me emocionin e së tashmes. Gjithçka dukej sikur bënte një lidhje të shenjtë mes brezave, ku çdo hap, çdo tingull, dhe çdo valëvitje e plisave dukej si një përshëndetje për të kaluarën dhe një premtim për të ardhmen.
Plisi quhet mbulesa e bardhë prej leshi të cilën pellazgët, Ilirët e më vonë shqiptarët e përdorën për ta mbuluar kokën. Quhet plis sepse është e krijuar prej leshit të deles së bardhë.
Plisi është simbol dhe mbulesë tradicionale e kokës ndër shqiptarët.
