Quantcast
Channel: Intervista – Portalb
Viewing all articles
Browse latest Browse all 756

Dr. Osmani: Për 5 vjet rezistenca ndaj antibiotikëve mund të jetë shkaku kryesor i vdekjes në mbarë botën

$
0
0
Mjeku Dukagjin Osmani. Foto nga Meta.mk

Rezistenca antimikrobike po merr gjithnjë e më shumë hov në vendin tonë, në Evropë dhe në botë, kështu që mendohet se deri në vitin 2030 ajo mund të jetë shkaku kryesor i vdekjes në rrafsh botëror. Për këtë arsye i domosdoshëm është përdorimi racional i antibiotikëve që të mos jepet mundësia që të krijohet rezistencë ndaj antibiotikëve. Në temën për keqpërdorimin e antibiotikëve në vendin tonë, për disponueshmërinë e lehtë të këtyre barnave, për pasojat që mund të ndodhin nëse një antibiotik nuk merret në mënyrën e duhur dhe nuk përshkruhet nga një mjek, biseduam me Dr. Dukagjin Osmani, koordinatorin nacional për rezistencën antimikrobike në Institutin e Shëndetit Publik (IShP), raporton Meta, përcjell Portalb.mk

Pak kohë më parë me rastin e shënimit të Javës së Ndërgjegjësimit për Antibiotikët ju folët për rëndësinë e përdorimit racional të këtyre barnave. Çfarë paraqet keqpërdorimi i antibiotikëve?

Keqpërdorim të antibiotikëve kemi kur pacienti merr një antibiotik pa rekomandim nga mjeku. Pacienti thjesht arrin në përfundimin se është i sëmurë dhe se duhet të marrë një antibiotik, me mendimin se kjo do ta ndihmojë. Por ai duhet ta vizitojë mjekun, i cili mbi bazë të analizës mikrobiologjike do vlerësojë nëse bëhet fjalë për një infeksion dhe pastaj do ta testojë ndjeshmërinë e atij bakteri ndaj një antibiotiku të caktuar, dhe vetëm atëherë ai do mund të përdoret. Duhet gjetur antibiotiku i duhur që do të merret për një periudhë të caktuar kohore dhe në një dozë të caktuar. Vetëm ky është përdorim racional i një antibiotiku. Çdo gjë tjetër paraqet keqpërdorim të tij.

A ekziston në vendin tonë një sistem për kontroll që regjistron dhe monitoron se sa antibiotikë përdoren, e nëse jo, sa kemi nevojë për një mekanizëm të tillë kontrolli?

Në Maqedoni ka më shumë analiza që tregojnë se sa antibiotikë shpenzohen. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka një departament të veçantë që merret me kontrollin e konsumit të barnave, por për fat të keq ne nuk kemi një sistem gjithëpërfshirës që e përfshin konsumin edhe në mjediset spitalore edhe në ato jashtëspitalore. Nuk kemi evidencë për antibiotikët që shiten ose përshkruhen. Në rrafsh botëror OBSH-ja ofron një mënyrë për ta llogaritur konsumin, që bëhet sipas dozave ditore për 100.000 banorë. Sipas disa studimeve konsumi i antibiotikëve në Maqedoni është në një nivel të lartë krahasuar me atë në BE. Në institucionet spitalore duhet të ketë një komitet të përbërë nga ekspertë – mjek klinik, farmakolog, mikrobiolog, që do të bënte një targetim të antibiotikëve që duhet të përdoren për diagnoza të ndryshme. Duhet të përgatiten udhëzues për përdorimin racional të antibiotikëve. OBSH-ja ka një listë klasifikimi sipas së cilës, për shembull, në mbrojtjen shëndetësore primare do duhej të përdoret, për shembull, penicilina, që ka një spektër të ngushtë, por nuk lejon mundësi për krijimin e rezistencës antimikrobike.

Kur vjen deri te rezistenca, ose çfarë e shkakton atë dhe a është duke u rritur numri i rezistencës antimikrobike?

Për këtë ka disa faktorë. Me përdorim racional antibiotikët janë një armë e mirë për të kuruar një infeksion të caktuar bakterial. Por, antibiotiku duhet të jepet në kohën e duhur, për një kohë të gjatë dhe me doza të caktuara. Termi rezistencë antimikrobike po merr gjithnjë e më shumë hov në vendin tonë, në Evropë dhe në botë. Mendohet se deri në vitin 2030 ajo mund të jetë shkaku kryesor i vdekjes në mbarë botën, sepse llojet rezistente po shtohen gjithnjë e më shumë, i gjejmë gjithnjë e më shumë në jetën e përditshme. Si krijohet rezistenca? Sa më shumë të jepen antibiotikë, aq më shumë shtohen llojet rezistente. Bakteret duan të jetojnë dhe gjejnë mekanizma mbrojtës, ato kanë gjene rezistence, të cilat u mundësojnë atyre të mbijetojnë kur gjenden në një mjedis të pavolitshëm për to, domethënë në një mjedis ku ka një antibiotik. Gjenet janë ato që u lejojnë atyre të mbijetojnë, e kështu ato bëhen rezistente ndaj një antibiotiku, pastaj ndaj një tjetri.

A ka problem me keqpërdorimin e antibiotikëve në vendet perëndimore?

Pati një hulumtim në të cilin ishin përfshirë të gjitha vendet dhe në të cilin kishte pyetje të hartuara mirë. Maqedonia ka një konsum të antibiotikëve që është mbi mesataren e BE-së, por edhe hulumtime të tjera gjithashtu tregojnë për një konsum të lartë të antibiotikëve. Ka vende ku nuk ka mundësi për keqpërdorim, ka kontroll deri në pilulën e fundit, si Finlanda, Norvegjia, Suedia, ku ka shumë pak përdorim të antibiotikëve dhe për këtë arsye edhe pak rezistencë. Te një popullatë nëse një bakter ka një gjen për rezistencë, të gjitha bakteret që mund ta pranojnë materialin gjenetik do të kenë një mekanizëm për t’u përballur me antibiotikun.

Sa e rrezikshme është t’u jepen antibiotikë fëmijëve pa i vizituar te mjeku për ta konfirmuar diagnozën?

Infeksionet më të shpeshta te fëmijët janë infeksionet e traktit të sipërm respirator. 80 përqind e infeksioneve tek ata janë me origjinë virale ku antibiotikët nuk ndihmojnë dhe nuk kanë efekt. Në një rast të tillë trupi  e bën punën e vet dhe shërohet vetë dhe për këtë arsye nuk ka nevojë të përdoren antibiotikët. Njerëzit e kanë edhe zakon të mbajnë antibiotikë në shtëpi. Shpesh ndodh edhe që doza të mos merret për shtatë ditë, por vetëm për dy, sepse pacienti ndihet më mirë. Kjo nuk duhet të ndodhë, sepse në raste të tilla disa baktere mbijetojnë dhe në të shumtën e rasteve këto janë bakteret më të forta. Duhet ta merrni dozën e saktë dhe në numrin e caktuar të ditëve, që t’i vrisni të gjitha bakteret dhe të mos u jepni atyre shans për të fituar rezistencë.

Pse nuk duhet që antibiotiku të merret pa rekomandimin e mjekut?

Doemos që duhet ta dëgjohet mjeku, ai vlerëson kur duhet të përdoret dhe kur nuk duhet të përdoret. Në të kundërten, antibiotiku nuk do ta ndihmojë pacientin, por do ndihmojë në krijimin e llojeve rezistente, dhe kjo do kjo një ditë do na sjellë në një situatë kur ne do ta shohim pacientin, por nuk do të jemi në gjendje ta ndihmojmë me asgjë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 756

Latest Images



Latest Images

<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>