
Hulumtues të politikave evropiane nga organizata të shquara ndërkombëtare dhe ekspertë nga Maqedonia e Veriut kanë përfunduar se Ballkani Perëndimor ka nevojë për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe se duhet shfrytëzuar momentumi pozitiv për zgjerimin e BE-së, që është imponuar edhe nga situata aktuale gjeopolitike, raporton Portalb.mk.
Andrej Lepavcov, ish ambasador, drejtor i Drejtorisë për BE në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut në prezantimin e tij sqaroi se si kriza e migrimit, agresioni rus në Ukrainë, përplasjet SHBA- BE, e vendosën zgjerimin si prioritet. Sipas tij, i dhanë dimension tjetër zgjerimit.
“Koncepti aktual, integrimi gradual, s’ka afat kohor deri kur kështu. 2030 nuk është përcaktuar ende. Për ne mbetet ende jo shumë e sqaruar. Shpresoj se me kohë do të definohet. Ne jemi në proces 20 vjet. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur kompromise të dhimbshme, emri, kontestet historike me të cilat aktualisht përballemi. Ana jonë e fortë është se jemi në NATO. Bilateralizimi nuk është vetëm problem i yni, është problem serioz edhe për vende tjera të rajonit. Ne kërkojmë zgjidhje përmes fqinjësisë së mirë. Është edhe në interes të fqiut tonë lindor”, tha mes tjerash ish ambasadori Lepavcov.
Hristina Koneska Beroska, këshilltare shtetërore në Ministrinë e për Çështje Europiane, theksoi momentumin e ri për zgjerim.
“Ka 20 vjet që jemi vend kandidat për BE. Për momentin vërehet interes më i madh për zgjerim, ka një momentum pozitiv që duhet shfrytëzuar. Ku jemi ne? Ështe me rëndësi që BE është partnere e vendeve të rajonit dhe ndihmon në avancimin e sistemit tonë. Është me rëndësi të kryhen reformat. Është me rëndësi gjithëpërfshirja në zbatimin e reformave. Ndarja e informacioneve në opinion, me qëllim që të mbahet vullneti për eurointegrime dhe kredibiliteti i BE-së”, tha Koneska Beroska.
Udhëheqësi i Qendrës “Grand Europa” i Institutit “Zhak Delor” në Paris, Llukash Macek, potencoi se e kupton frustrimin në Maqedoninë e Veriut dhe se koha është kruciale në procesin eurointegrues.
“Tani tempoja që e mban Franca është më e madhe dhe këtë e imponojnë rrethanat gjeopolitike. Nuk duhet të ketë pika të zeza në BE por edhe të rrezikohet kredibiliteti i BE-së. Plani i rritjes është i mirë, por jo i mjaftueshëm. Mendimi i Francës për Maqedoninë e Veriut dhe vendet tjera është se janë në rrugë të mirë, por tajmingu është kyç. Procesi po ec ngadal. E kuptoj frustracionin, për integrimin gradual, që të jetë procesi i suksesshëm duhet të ec shpejtë” u shpreh në prezantimin e tij Macek.
Nga ana tjetër, Izabell Joanides, hulumtuese nga Fondacioni Grek për Politikë të Jashtme dhe Europiane u shpreh optimiste në lidhje me zgjerimin e BE-së.
“Jam optimiste për procesin e integrimit gradual. Mund të jetë transformues për rajonin. Mund t’i motivojë edhe më shumë vendet kandidate, i përgatitë më mirë dhe sjell integrim më të qëndrueshëm. Në thelb siguron masa nxitëse për reforma dhe mundëson rezultate aty për aty. Plani i rritjes është dëshmi e përkushtimit të BE-së në rajon. Jep alternativë kredibile si partner kryesor në rajon”, tha Joanides.
Berta Lopez Domenek, analiste nga Qendra për Politika Europiane (EPC), në Bruksel theksoi nevojën e një storje suksesi në raportet BE dhe Ballkani Perëndimor.
“Nga viti 2022 ka interes më të madh për nevojën e zgjerimit. Zgjerimi është i domosdoshëm, por s’ka shumë informacione se si do të realizohet. Në Bruksel, disa vende janë skeptike, disa më të rezervuara… shtetet më të mëdha kërkojnë më shumë reforma të brendshme. Ka pozicione të ndryshme në BE. Na duhet një storje e suksesshme ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, për të demonstruar se gjasat janë reale për zgjerim. Skeptikëve t’ju dëshmohet se zgjerimi nuk është i dëmshëm”, tha në prezantimin e saj Lopez Domenek.
Këto komente u bënë në kuadër të “Forum Europeum 2025” të organizuar nga Instituti për Politikë Europiane (EPI) në Shkup.
Kujtojmë se pavarësisht politikave të BE-së për zgjerim, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje.
Miratimi i Raportit të fundit për Maqedoninë e Veriut nga Komiteti i Punëve të Jashtme (AFET) në Parlamentin Evropian ka ngjallur reagime të reja në Sofje dhe Shkup.
Përndryshe, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
- LEXO: Kryeministri dhe presidentja e RMV-së me kritika për ngjarjet në Parlamentin Evropian
- LEXO: Eurodeputetët do të debatojnë mbi draft-raportin e Waitz për RMV-në
- LEXO: Raportohet se është arritur marrëveshje për heqjen e termave “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” nga draft-raporti për RMV-në
- LEXO: Mickoski paralajmëron luftë të ashpër për raportin e PE-së, Filipçe: VMRO dëshiron të marrë merita, lufta për gjuhën ka mbaruar
- LEXO: Debate të reja mbi identitetin dhe gjuhën pas Raportit për RMV-në, korriku “betejë e ashpër” për Shkupin