
Në një qytet ku arti shpesh mbetet në hije të prioriteteve të tjera, Bora Kazimi ka vendosur të sfidojë normat dhe të krijojë hapësirë për një formë arti delikate, baletin. Si drejtoreshë e studios së baletit “Tutu” në Tetovë, Kazimi jo vetëm që kultivon talentin e brezit të ri, por edhe përpiqet të ndërtojë një komunitet më të vetëdijshëm, më gjithëpërfshirës dhe më të ndjeshëm ndaj artit. Në këtë intervistë për Portalb.mk, ajo flet për sfidat në balet, ndikimin e stereotipeve gjinore, lidhjen midis psikologjisë dhe baletit, si dhe ëndrrën që nisi nga fëmijëria e saj e që sot po frymëzon qindra vogëlushë.
Portalb.mk: Si e përshkruani pozitën dhe rolin e baletit në Maqedoninë e Veriut, a ekziston vlerësim i duhur për këtë formë arti?
Bora Kazimi: Për të përshkruar Pozitën dhe rolin e baletit, në Maqedoninë e Veriut, dhe, a ekziston vlerësim i duhur, për këtë formë arti, unë mund të flasë në aspektin lokal- në këtë rast për Tetovën: Në Tetovë jemi të parët si shkollë baleti mes popullatës shqiptare. E sa i përket rolit dhe pozitës së saj, jemi me shumë satisfaksion dhe mjaft entuziast që ndajmë bashkërisht edhe frymën edukative edhe empatinë artistike, mes brezit të rij.
Portalb.mk: Cilat janë sfidat kryesore që përballen profesionistët e baletit në vendin tonë?
Bora Kazimi: Kur flasim për sfidat e baletit në vendin tonë, pa përmendur të tjera… do të kisha përmendur vetëm faktin se kemi mungesë të një grupi të baletit kombëtar në qytet.
Portalb.mk: A është baleti në vendin tonë i rezervuar për shtresa të caktuara të shoqërisë, apo po bëhet më gjithëpërfshirës me kalimin e kohës?
Bora Kazimi: Nxënësit tonë kanë një përbërje heterogjene për nga moshat dhe mjediset nga të cilat vijnë. Pra jemi shumë të ekuilibruar për nga emancipimi mjedisor, mund të themi se çdo ditë e më shumë duket po bëhet gjithëpërfshirës!

Portalb.mk: Me hapjen e studios “Tutu”, a keni vënë re ndryshime në mënyrën si shoqëria e sheh baletin si aktivitet për fëmijë, a shihet si art, si sport, apo si luks?
Bora Kazimi: Për fatmirësi them se shkolla e baletit në Tetovë, që nga fillimi po përjetohet: së pari si qendër kulturore e edukimit social, mandej-artistik, e më pas edhe si aktivitet sportiv dhe bpsolutisht aspak si luks.
Portalb.mk: Çfarë roli luan një studio baleti në mungesë të institucioneve publike të mirëstrukturuara për edukim artistik?
Bora Kazimi: Duhet thënë se institucionet publike të edukimit artistik, kohëve të fundit, fatmirësisht janë më të profilizuara. Edhe ne me shkollën e baletit „Tutu“, bëjmë përpjekjet maksimale që ndikimet socio-kulturore në brezin e voglushëve të jenë sa më multidimensionale. Përkrahjen që nga fillimet tona kemi pasur “Qendrën për Kulturë”, dhe në frymën e respektit dhe vlerësimit që na është bërë nga instanca të ndryshme gjatë rrugës. Për të tjera mbështetje më të materializuara, akoma nuk kemi pasur faza të tilla reciprociteti, e që shpresojmë se e ardhmja do të na e mundësojë.
Portalb.mk: Si ndikon stereotipizimi gjinor apo normat shoqërore në qasjen që fëmijët dhe të rinjtë kanë ndaj baletit, veçanërisht djemtë?
Bora Kazimi: Fatkeqësisht, stereotipet gjinore janë akoma evidente. Megjithatë ajo që inkurajon është fakti se nuk ka paragjykime. Kjo do të thotë se kemi pasur kërkesa për regjistrim edhe nga djemtë voglushë, por që presim të arrijë një numër i konsiderueshëm, dhe ta formojmë si grup.

Portalb.mk: Sipas jush, cilat janë mangësitë më të mëdha në politikat kulturore kur bëhet fjalë për zhvillimin e artit skenik në nivel lokal?
Bora Kazimi: Unë nuk e ndjej veten aq kompetente sa të përshijë tërësinë e faktorëve influencues në këtë temë, por mund të gjykoj përgjithësisht nga përvoja e këtyre viteve me shkollën tonë të baletit “Tutu”, dhe nga peripetitë e mia të mëhershme në skenë, mendoj se duhet vetëm sensibilizim mediatik, apo pak më shumë seriozitet vlerësues në këtë drejtim.
Portalb.mk: Së fundmi patët edhe shfaqje me studion tuaj, na flisni pak më tepër rreth këtij organizimi?
Bora Kazimi: Po, këtë vit kemi festuar jo vetëm përmbylljen e një viti të suksesshëm akademik po edhe koncertin e pestë të radhës. Pra gjysmë dekade që nga themelimi i studios se baletit “Tutu”. Satisfaksioni ynë është tejet i lartë; Natyrisht nga fakti se të punosh me engjëjt e vegjël do të thotë të qëndrosh vazhdimisht në energji teje të pastër, po edhe për faktin që ka qenë një ëndërr e imja që nga fëmijëria.

Portalb.mk: Ju keni mbaruar shkollimin për psikologji, cila është lidhja e psikologjisë me baletin? Si ndërlidhen këto dy fusha?
Bora Kazimi: Po, gjithashtu jam në mbrojtje të temës së masterit, në psikologji. Dhe realisht, jam shumë me fat që më eshtë dhënë mundësia të kem këtë kombinim. Duke pasur parasysh se gjithë jeta e njeriut është një vijimësi e proceseve dhe shtresimeve psikologjike, në ndërdijen tonë që nga fëmijëria… po mundohem me shumë përkushtim që balerinat tona të munden të absorbojnë sa më shumë akte që do i vetëdijësojnë, do ju japin vetbësim, e sidomos shumë pranim dhe dashuri për gjithçka që bëjnë dhe janë.
Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj për gjithë ata që ëndërrojnë që një ditë të jenë balerinë të ardhshëm?
Bora Kazimi: Për fund, porosia ime do të ishte që: voglushët të ndjekin dhe kultivojnë pasionin, para së gjithash, pa marrë parasysh se cilin drejtim do të zgjedhin. Sepse, kur gjërat bëhen me dashuri dhe admirim, cilësia e sukseset do të jetë e lartë edhe me integritet.
