
Nisma Zero së bashku me familjarët e viktimave të tragjedisë në spitalin modular kanë dorëzuar në Komunën e Tetovës kërkesë ku propozojnë që hapsira ku ndodhej objekti i spitalit modular të shndërrohet në park memorial publik, shkruan Portalb.mk.
Mumin Ismaili i cili humbi nënën në zjarrin e spitalit modular theksoi se së bashku me Iniciativën ZERO, dorëzuan propozim zyrtar drejt Kryetarit te Komunes se Tetoves, Bilal Kasami, kryetarit të Këshillit të Komunës, Naim Ismaili dhe Ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu që ajo hapësirë e dhimbjes të shndërrohet në një park përkujtimor me 14 ulëse në kujtim të 14 viktimave, për të mos e lejuar këtë tragjedi të zbehet në harresën e qytetit.
“Është tronditëse dhe e dhimbshme për ne familjarët të shohim që vendi ku ndodhi një nga tragjeditë më të rënda në këtë qytet, sot është shndërruar në një vend të harruar, i mbuluar me makina të vjetra, pluhur dhe shpërfillje. Aty ku dikur ulërinte zjarri dhe dhimbja, sot mbretëron neglizhenca. Kjo nuk është thjesht mungesë respekti, kjo është një plagë e re mbi plagën që ende nuk është mbyllur. Ky park do të jetë kujtesë. Do të jetë reflektim. Do të jetë një thirrje që kjo të mos ndodhë më askund dhe askujt. U bëjmë thirrje institucioneve që të veprojnë me përgjegjësi”, tha Ismaili.
Blendi Hodai nga Iniciativa Zero bëri të ditur se e njëjta kërkesë i është dorëzuar edhe Ministrisë së Shëndetësisë.
“Është detyrë e tyre që të mos neglizhohet tragjedia që ka ndodhur dhe të mos shndërrohet në hapsirë ku vendosen veturat e vjetra, që është momentalisht te parkingu i Spitalit të Tetovës ku ka ndodhur tragjedi”, tha Hodai.
Ai përmendi edhe kërkesat drejtuar Komunës së Tetovës, edhe atë:
- Të marrë në shqyrtim serioz dhe të miratojë këtë iniciativë qytetare për krijimin e parkut memorial.
- Të përfshijë propozimin për ngritjen e parkut memorial në Programin e Komunës për shënimin e ngjarjeve të rëndësishme me shenja përkujtimore, sipas Nenit 17 të Ligjit për Monumentet Përkujtimore dhe Shenjat Përkujtimore.
- Të iniciojë dhe zbatojë të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe urbanistike, përfshirë ndryshimet e mundshme në Planin Detal Urbanistik, për të caktuar zyrtarisht hapësirën për këtë qëllim.
- Të marrë vendim për ngritjen, financimin (në bashkëpunim me donatorë të mundshëm), mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e parkut memorial, konform Nenit 18 të Ligjit për Monumentet Përkujtimore dhe Shenjat Përkujtimore.
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu nuk e komentoi këtë kërkesë, ndërkaq as Komuna e Tetovës nuk dha prononcim për Portalbin lidhur me këtë rast.
Në nëntor të vitit 2022 drejtori i atëhershëm i Spitalit të Tetovës Amir Elezi paralajmëroi se në këtë në vendin ku ndodhej objekti i spitalit modular, parashihej të vendosej pllakatë përkujtimore për viktimat e tragjedisë. Mirëpo kjo pllakatë nuk u vendos asnjëherë.
Hapsira ku gjendej objekti i spitalit modular u shndërrua në parking, madje aty sot janë të vendosura disa vetura të vjetra.

Pavarësisht se kanë kaluar gati dy vjet që kur Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se po zhvillohet një hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për zjarrin në spitalin modular, ende nuk ka vendim. Prokuroria thotë se hetimet vazhdojnë duke mos dhënë detaje tjera.
Kujtojmë që në maj 2024 Gjykata e Tetovës e shpalli vendimin e rigjykimit për këtë rast, ku me 1 vit e 6 muaj burg u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe ish drejtoi ekonomik Artan Etemi, ndërsa Spitali i Tetovës me 1 milion denarë.
Për dallim prej akgjykimit të parë kur dënimi po ashtu ishte me 1 vit e 6 muaj burg me kusht, kësaj here dënimi është pa kusht.
Të akuzuarit nuk u akuzuan për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.
Besimi dhe Etemi u shpallën fajtorë për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Rasti ishte në rigjykim pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ktheu një pjesë të lëndës në Gjykatën Themelore në Tetovë.
Pse erdhi deri te rigjykimi?
Pas gjykimit të parë në Gjykatën e Tetovës i cili përfundoi në qershor 2023, ku në bankën e të akuzuarve ishin ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit dhe Spitali i Tetovës, Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 vendosi që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.
Prokuroria ka kërkuar që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra, ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.
Në rigjykim u kthye një pjesë e lëndës kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.
Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim kanë theksuar se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.
“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në atkgjykimin e Apelit.
Gjykimi i parë, jo për shkaqet e zjarrit
Në lidhje me zjarrin në modular pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.
Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.
Drejtorët u dënuan në shkallën e parë sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërsa mjeku u lirua nga përgjegjësia sepse në spitalin për Kovid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.
Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.
Dokumentari i IRL-së, nxori në pah “të palarat”
Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregoi një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese. Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.
Çfarë ndodhi?
Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.
Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.
Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.