
Dredhza Braina nga Kosova, është përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin prestigjioz “Cybersecurity Woman of the Year 2025”. Ky vlerësim global nderon gratë më të shquara në fushën e sigurisë kibernetike. Para disa muajsh, Dredhza ishte pjesëmarrëse në konferencën BSidesChicago që u mbajt në Chicago, Illinois, me ç’rast pati rastin të publikonte për herë të parë veglën e saj kompjuterike me burim të hapur “CAPICHE Detection Framework”, që shërben posaçërisht për komunitetin e sigurisë kibernetike, sidomos për të thjeshtësuar gërmimin në Cloud APIs. Për Portalb.mk ajo shpalosi më tepër detaje nga rrugëtimi i saj në këtë fushë.
Portalb.mk: Siguria kibernetike është një fushë komplekse dhe gjithnjë në ndryshim, çfarë të tërhoqi fillimisht drejt saj dhe çfarë të motivon të qëndrosh aktive në këtë fushë kaq sfiduese?
Dredhza Braina: Që në fillim më ka lënë përshtypje se sa e ndërlikuar dhe e ndjeshme është siguria kibernetike dhe fakti që gjithçka që lidhet me teknologjinë, nga një emaili thjeshtë deri te sistemet më kritike, ka nevojë për mbrojtje. Mendoja: Çfarë ndodh kur dikush përpiqet të thyejë këto sisteme? Si i ndalim? Ky kuriozitet më shtyu të thellohem më shumë.
Ajo që më mban ende këtu është pikërisht kjo ndjesi, që po merrem me diçka që ka vlerë, që kërkon të jesh gjithmonë në hap me zhvillimet. Nuk ka rutinë. Çdo ditë mund të përballesh me një sfidë të re, një mënyrë të re sulmi, një problem për të zgjidhur. Dhe për dikë si unë, që nuk ndalet së mësuari, kjo është fusha ideale. Kjo më motivon të jem aktive dhe të jap maksimumin tim çdo ditë.
Portalb.mk: Si ishte rruga jote nga Universiteti i Prishtinës deri te puna në një kompani amerikane si Premiso Security, cilat kanë qenë momentet kryesore që e formësuan këtë rrugëtim profesional?
Dredhza Braina: Rruga ime ka nisur pikërisht në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, ku kam marrë bazat e para teknike dhe akademike. Një ndër momentet kyçe ka qenë kur fillova të angazhohem jashtë kurrikulës, të marr pjesë në trajnime, gara dhe projekte që lidhen me sigurinë.
Pas përfundimit të studimeve, nuk ishte një rrugë e shpejtë apo e lehtë, ka pasur shumë mësime, shumë përpjekje, por edhe shumë rritje personale. Puna ime u vërejt nga njerëz në industri, dhe kështu erdhi mundësia për t’iu bashkuar Permiso Security.
Të punosh në një ambient ndërkombëtar me ekspertë të fushës ka qenë një hap gjigand për mua, jo vetëm profesionalisht, por edhe në mënyrën si mendoj, si punoj dhe si zhvillohem më tej. E gjithë kjo rrugë ka qenë ndërtuar nga hapa të vegjël, por me shumë pasion, kureshtje dhe qëndrueshmëri.

Portalb.mk: Së fundmi jeni përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin prestigjioz “Cybersecurity Woman of the Year 2025”, çfarë domethënë kjo për ju?
Dredhza Braina: Të jem e përzgjedhur në listën e ngushtë për “Cybersecurity Woman of the Year 2025” është një nder i jashtëzakonshëm dhe një moment reflektimi për gjithë rrugëtimin tim deri tani. Ky çmim nuk është thjesht një vlerësim personal, por një dëshmi që puna, përkushtimi dhe zëri i grave në teknologji dhe siguri kibernetike po marrin gjithnjë e më shumë hapësirë dhe vlerësim në nivel global.
Për mua personalisht, kjo përzgjedhje është një shtytje për të vazhduar me edhe më shumë pasion, përgjegjësi dhe guxim në këtë fushë që është shumë dinamike, por edhe kërkuese. Po ashtu, është një kujtesë e fuqishme se edhe gratë nga vende të vogla si Kosova mund të jenë pjesë e bisedës globale për sigurinë kibernetike.
Portalb.mk: Nga përvoja jote, cilat janë sfidat më të mëdha teknike dhe organizative që po përballet sot siguria kibernetike?
Dredhza Braina: Teknikisht, sfidat janë të shumta: nga shpejtësia me të cilën evoluojnë taktikat e sulmuesve, sidomos në hapësirën cloud dhe me automatizimin e sulmeve, e deri te mungesa e vizibilitetit të plotë në mjedise hibride dhe shumë të ndërlidhura. Shumë organizata ende e shohin sigurinë si një detyrë të vetëm një departamenti, dhe jo si përgjegjësi e përbashkët. Mungesa e trajnimeve të vazhdueshme, edukimi i cekët në lidhje me sigurinë kibernetike brenda ekipeve, apo edhe moskuptimi mes ekipeve teknike dhe menaxheriale, shpesh krijojnë boshllëqe që aktorët keqdashës i shfrytëzojnë shumë lehtë.
Portalb.mk: Në një industri të dominuar nga burrat, si ka ndikuar përvoja jote si vajzë në këtë fushë? Si e sheh përfshirjen e mëtejshme të grave në sigurinë kibernetike, në Kosovë, Shqipëri, rajon dhe më gjerë?
Dredhza Braina: Të jesh vajzë në një industri që historikisht ka qenë e dominuar nga burrat do të thotë shpesh të punosh dyfish për t’u dëgjuar, për t’u marrë seriozisht dhe për të krijuar hapësirën tënde. Kjo përvojë më ka forcuar, më ka bërë më të vetëdijshme për rëndësinë e përfaqësimit dhe më ka shtyrë të jem më aktive në hapësirat ku gratë janë ende në pakicë.
E shoh me shumë shpresë përfshirjen e grave në fushën e sigurisë kibernetike, sidomos në rajonin tonë. Ka vajza dhe gra të jashtëzakonshme në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë, që po bëjnë punë të rëndësishme, edhe pse ndoshta jo gjithmonë janë në qendër të vëmendjes.
Për mua, është shumë e rëndësishme të jem një frymëzim për vajzat e tjera që të mos ndalen, të guxojnë, dhe të besojnë që ky sektor është po aq i tyre sa i kujtdo tjetër.
Portalb.mk: Nëse do të kishe mundësinë të ndikoje drejtpërdrejt në mënyrën si edukohet brezi i ardhshëm i profesionistëve në siguri, çfarë do të ndryshoje?
Dredhza Braina: Së pari, do të sillja më shumë eksperienca praktike që në fazat e hershme të studimeve. Siguria nuk mësohet vetëm nga librat, ajo kuptohet më mirë kur studentët përballen me sfida reale, kur analizojnë incidente, zbulojnë dobësi apo simulojnë sulme dhe mbrojtje në mjedise të kontrolluara. Një qasje më “hands-on” do t’i përgatiste shumë më mirë për industrinë. Do të investoja shumë në ndërtimin e vetëbesimit, komunikimit dhe mendësisë së bashkëpunimit. Mendoj se kemi nevojë për profesionistë që dinë të bashkëpunojnë, që mbrojnë me integritet dhe që nuk harrojnë ndikimin që mund të kenë te të tjerët. Në fund të ditës, siguria kibernetike nuk është vetëm një profesion, është një përgjegjësi dhe mënyra si e edukojmë brezin e ardhshëm do të formësojë jo vetëm sektorin tonë, por sigurinë e të gjithë shoqërisë sonë.
Portalb.mk: Cili është mesazhi jot për gjeneratat e reja?
Dredhza Braina: Për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që sot po ecin në rrugën e dijes dhe po përballen me pasiguri për të ardhmen, dua t’ju them një gjë: mos nënvlerësoni asnjë hap që bëni. Çdo orë mësimi, çdo dështim, çdo përpjekje e vogël është pjesë e rrugës suaj drejt diçkaje më të madhe. Bëhuni kuriozë, bëni pyetje, kërkoni dituri dhe tentoni të fitoni sa më shumë aftësi nga burime të shumta, pasi që në këtë mënyrë ndërtoni një bazament të fuqishëm në këtë fushë. Dhe mbi të gjitha, besoni në veten tuaj edhe atëherë kur të tjerët nuk e bëjnë. E ardhmja nuk ndërtohet vetëm me dijeni, por edhe me guxim, këmbëngulje dhe mos dorëzim.