
Problemi i përdorimit të drogës te fëmijët në Maqedoninë e Veriut po bëhet gjithnjë e më shqetësues, thuhet në Analizën mbi Statusin dhe Trajtimin e Fëmijëve që Përdorin Droga dhe Substanca të Tjera Psikotrope në Maqedoninë e Veriut, përgatitur nga Avokati i Popullit. Sipas analizës, sistemi për parandalimin, zbulimin e hershëm, trajtimin dhe rehabilitimin e këtyre fëmijëve është i pazhvilluar, dhe kapacitetet institucionale mbeten të kufizuara, transmeton Portalb.mk. Nga të dhënat për vitin 2023 dhe gjysmën e parë të 2024-ës, janë evidentuar rreth 130 fëmijë përdorues droge, kryesisht marijuanë dhe amfetaminë, ndërsa ka të varur nën moshën 6 vjeçare.
“Trajtimi i fëmijëve përdorues të drogës vazhdon të paraqesë sfidë serioze, duke pasur parasysh se kemi rekomanduar programe specifike në institucionet shëndetësore që ende nuk janë zhvilluar”, tha Vaska Bajramovska Mustafa, zëvendës Avokate e Popullit, në prezantimin e sotëm të analizës.
Sipas të dhënave nga analiza, ajo informoi se kufiri i poshtëm i fëmijëve që ofrojnë dhe përdorin drogë është duke u zvogëluar, dhe ky fenomen po bëhet një problem në rritje dhe kërkon përgjigje urgjente dhe të koordinuar nga institucionet. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, Qendrat Ndërkomunale dhe organizatat e shoqërisë civile, ajo informoi se fëmijët më shpesh përdorin droga halucinogjene dhe stimuluese, si dhe marihuanë.
Përdoruesi më i ri i drogës në Maqedoninë e Veriut është nën moshën 6 vjeçare.
“Sipas të dhënave që i kemi marrë nga të 8 sektorët e Ministrisë së Punëve të Brendshme pa diskutim kanë evidentuar fëmijë përdorues të drogës. Në vititn 2023 ishin 85 gjithsej dhe në qershor të 2024-ës ishin 45 raste të reja, pra 130 fëmijë përdorues të drogës janë evidentuar në sektorët për punë të brendshme. Lloji më i shpeshtë i drogës që e përdorin janë marijuana dhe amfetamina, ndërsa më pak ekstaza dhe heroinë. Shqetëson e dhëna se ka pasur fëmijë nën moshën 6 vjeçare”, tha Vaska Bajramovska Mustafa.
Bajramovska theksoi faktin se qendrat ndërkomunale të punës sociale u përgjigjën se ekipet e tyre profesionale nuk janë të specializuara në punën me fëmijët që përdorin drogë.
Nga 21 qendrat ndërkomunale të punës sociale që u përgjigjën se kanë ekipe profesionale për të punuar me fëmijët në rrezik, të cilët përfshijnë edhe fëmijë që përdorin drogë, të gjitha deklaruan se ekipi nuk është i specializuar për fëmijët që përdorin drogë, informoi ajo.
Sfidat më të mëdha të theksuara në analizë janë se aktualisht, institucionet përkatëse nuk e njohin mjaftueshëm rrezikun e përdorimit të drogës tek fëmijët, gjë që rezulton në ndërhyrje të pamjaftueshme në momente kritike.
Profesionistët në institucionet shëndetësore dhe sociale nuk kanë trajnimin dhe njohuritë e nevojshme për të punuar me këtë grup të prekshëm, dhe në të njëjtën kohë u mungojnë kapacitete të mjaftueshme hapësinore dhe burime teknike për trajtim dhe kujdes efektiv.
Për më tepër, nuk ka programe të zhvilluara rehabilitimi dhe risocializimi, gjë që i lë fëmijët që përdorin drogë pa mbështetje të mjaftueshme për integrimin e tyre në shoqëri. Qendrat e këshillimit dhe qendrat ditore, të cilat mund të luajnë një rol kyç në mbështetjen e tyre, janë të pazhvilluara dhe të nën-përfaqësuara si në nivel lokal ashtu edhe në atë kombëtar.
Institucionet përballen gjithashtu me probleme serioze koordinimi, duke rezultuar në qasje jokonsistente ndaj trajtimit, metodologji të ndryshme për regjistrimin dhe mungesë të procedurave të unifikuara.
Mungesa e rregulloreve të qarta e ndërlikon më tej punën e institucioneve, dhe përfshirja e kufizuar e organizatave të shoqërisë civile në hartimin e politikave zvogëlon efektivitetin e masave mbrojtëse.
Avokati i Popullit rekomandon zhvillimin e programeve të specializuara për trajtim, rehabilitim dhe risocializim, si dhe përmirësimin e koordinimit midis institucioneve për qasje të integruar ndaj trajtimit.
Prandaj, ata thonë se është e nevojshme të krijohet një bazë të dhënash e centralizuar për regjistrimin dhe monitorimin e situatës në mënyrë që të përmirësohet planifikimi i masave dhe politikave parandaluese.
Ata shtojnë se rritja e burimeve dhe stafit në institucionet shëndetësore dhe sociale është çelësi për të siguruar kujdes cilësor, dhe përfshirja më e madhe e organizatave të shoqërisë civile do të kontribuonte në zhvillimin e një sistemi më efikas dhe të qëndrueshëm për mbrojtjen e këtyre fëmijëve. Bajramovska theksoi se rekomandimet nga analiza do t’u paraqiten ministrive kompetente dhe të gjithë palëve të interesuara kryesore, në mënyrë që të fillojnë të marrin masa, dhe shtoi se ata do të monitorojnë zbatimin e tyre.
Kujtojmë se Portalb.mk ka shkruar mbi këtë problematikë në Tetovë. Përdorimi dhe shitja e lëndëve narkotike nga nxënësit, mungesa e sigurimit në hyrje të shkollave, mungesa e stafit profesional, lojërat e fatit, janë vetëm disa nga problemet lidhur me sjelljet devijante në shkollat e Tetovës. Kryetarja e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve Blerta Ahmedi tha se ka më shumë sfida dhe probleme me të cilat ballafaqohen shkollat.