Quantcast
Channel: Intervista – Portalb
Viewing all articles
Browse latest Browse all 753

Reshat Ameti: Fatkeqësia e artit në RMV është se është një vend i vogël, na mungon një muze klasik për artin figurativ

$
0
0
Fotografi nga arkivi personal e piktorit Reshat Ameti. Foto: Reshat Ameti

Piktori Reshat Ameti këtë vit shënon 35 vjetorin e karrierës së tij artistike. Për gjithë këtë rrugëtim dhe shumë të tjera ai ndau më tepër detaje në një intervistë për Portalb.mk

Portalb.mk: Këtë vit shënoni 35 vjetorin e krijimtarisë tuaj, na tregoni sfidat dhe sukseset e këtij rrugëtimi?

Reshat Ameti: Kam shumë gjëra për të thënë për këtë rrugëtim plot aventura dhe eksperienca, këtë do ta lë kur të shkruaj autobiografinë time. Me këtë rast mund të theksoj vetëm se kam jetuar dhe vepruar në kohë dhe hapësira në shumë dimensione të jetës që kanë qenë të mbushura me sfida, me ndryshime në shtet, me ndryshime në sistemin politik, me luftëra etj. Por me të gjitha këto jam përballur dhe mund ta përkufizoj si një rrugëtim plot arritje, suksesi ka qenë thjesht një rrugëtim në ëndrrat më të mira të botës artistike.

Portalb.mk: Në shënimin e këtij jubileu ju realizuat disa ekspozta duke cekur edhe ekspoziten e fundit “Rrugëtimi im në Art” na tregoni çfarë preazntuat para publikut dhe si u mirëpritën?

Reshat Ameti: Shënimin e jubileut e nisa më 30 janar të këtij viti me një ekspozitë në galeri të klubit diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë në Berlin. Më 27 shkurt pata ekspozitën e dytë në kuadër të këtij përvjetori në Galerinë Ursula Straoss në Graz të Austrisë. (Këto ekspozita do të qëndrojnë të hapura deri në prill.) Në ekspozitë në QKR do të prezantoj fragmente nga disa cikle të mia artistike. Gjithashtu dua të theksoj se ekspozita pati edhe dimension pedagogjik ku ku u mbajtën disa ligjërata për rrugët artistike, për nxënësit e Shkollës së Arteve të Bukura në Shkup (ku isha edhe unë nxënës) dhe studentët e Fakultetit të Arteve.

Portalb.mk: Cili është përfundimi që ke nxjerrë nga kjo eksperiencë, nga kjo aventurë piktorike?

Reshat Ameti: Gjithmonë besoni në veten tuaj, ndiqni të vërtetën tuaj artistike, bëhuni të durueshëm, qëndroni larg patologjive njerëzore, helmeve shpirtërore dhe keni gjithmonë qëllime të mira, sukseset janë vetëm një pjesë e rezultatit të punës suaj.

Portalb.mk: Pikturat e tua janë ekspozuar në shumë vende të ndryshme të botës, si ia bën që piktura të shkojë tek adhuruesit e saj?

Reshat Ameti: Po, është e vërtetë që mund të them lirisht se veprat e mia gjenden pothuajse në të gjitha kontinentet e planetit. Në muze, galeri dhe institucione të ndryshme nëpër botë ku veprat e mia janë në fond bashkë me krijuesit më të rëndësishëm të historisë së artit botëror. Për të ftuar galeritë dhe muzetë botërorë, arti juaj duhet të jetë origjinal dhe unik! Transportimi i veprave është i vështirë për artistët, por në rastin tim kam pasur gjithmonë zgjidhjen e duhur.

Fotografi nga pikturat e artistit Reshat Ameti. Foto: Reshat Ameti
Fotografi nga pikturat e artistit Reshat Ameti. Foto: Reshat Ameti

Portalb.mk: Sa ekspozita dhe sa piktuara keni realizuar gjatë këtij rrugëtimi 35 vjeçar?

Reshat Ameti: Gjatë këtij rrugëtimi 35-vjeçar kam pasur mbi 70 ekspozita personale, më të shumtat në botë! Kam krijuar mbi 1000 vepra arti në teknika të ndryshme artistike.

Portalb.mk: Me kaq vite eksperiencë si e shihni evoluimin e artit në Maqedoninë e Veriut në periudha të ndryshme, a ka pasur një pikë kyçe në të cilën arti pamor te ne ka prekur majat?

Reshat Ameti: Kjo pyetje kërkon një shpjegim më të detajuar, ndaj do të jap një përmbledhje të shkurtër. Fatkeqësia e artit në Maqedoni është se është një vend i vogël, pa ndikim të madh në botën e artit dhe në të gjitha kategoritë si shtet. Por kemi disa arritje individuale ku janë prekur majat e artit pamor. Mbaj mend vitet e 90-ta, ekspozitat e artistëve shqiptarë ishin të rralla, vetëm artisti ynë i madh Adem Katrati kishte ekspozita dhe prania ime ishte evidente me ekspozita, si dhe disa shoqata herë pas here që kryenin disa aktivitete. Në fillim të mijëvjeçarit të ri filluam të shohim zhvillime në art,te artistët shqiptarë në Maqedoni, veçanërisht pas zyrtarizimit të Universitetit të Tetovës, Fakulteti i Artit në Tetovë luan një rol të rëndësishëm në vazhdimësinë e prezantimit të artit!

Portalb.mk: A ka nevojë vendi ynë për një muze pikture?

Reshat Ameti: Kemi institucione të shkëlqyera të artit pamor, veçanërisht në Shkup. Kemi Galerinë Kombëtare, Muzeun e Artit Bashkëkohor, por na mungon një muze klasik për artin figurativ ku do të kishim një ekspozitë të përhershme të artit vendas (Këtë rol e luan aktualisht Galeria Kombëtare në “Hamami Daut Pasha”, por nuk i plotëson të gjitha kushtet për ekspozitë të përhershëm). Më herët kam propozuar që të kemi muzetë e Adem Kastratit dhe Omer Kaleshit, shpresoj që kjo të realizohet në të ardhmen.

Portalb.mk: Duke qënë së ju niseni nga mjedisi lokal për të shkuar te ai universal, a mendoni se ka një fat të destinuar për artistin i cili lidhet kryesisht me vendin ku lind? Apo arti i madh lind nga çdo cep i botës?

Reshat Ameti: Arti është një fenomen kozmik, do të thosha hyjnor, talenti është i trashëguar, asnjë institucion nuk ta jep, mund të lindësh si artist në çdo cep të botës dhe arti yt mund të prekë gjithë planetin. Ka disa parakushte që një artist të zhvillohet sa më mirë dhe ato janë; Talenti, rrethi dhe karakteri, nëse mungon një nga këto parakushte, artisti është i kufizuar. Një shembull që rrethi nuk është i rëndësishëm për të lënë gjurmë në art është piktori Hieronymus Bosch (1450-1516) i lindur në një vend të vogël në Hertogenbosch në Holandë, ai nuk u largua kurrë nga vendlindja e tij, por veprat e tij prekën botën dhe historinë e artit.

Fotografi nga pikturat e artistit Reshat Ameti. Foto: Reshat Ameti
Fotografi nga pikturat e artistit Reshat Ameti. Foto: Reshat Ameti

Portalb.mk: A mungojnë hapësira për promovimin e artisteve dhe si e shihni punën e institucioneve përkatëse në këtë fushë, a po bëhet mjaftueshëm?

Reshat Ameti: Maqedonia ka hapësira të mrekullueshme për prezantimin e artit, veçanërisht kryeqyteti Shkupi (këto institucione janë trashëguar nga ish-shteti i Jugosllavisë). Por funksionimin e institucioneve e ka penguar gjithmonë partizimi, proteksionizmi, nepotizmi, por gjithsesi mund të them se arti shqiptar ka përjetuar një ekspansion (sidomos pas Marrëveshjes së Ohrit) ku në disa raste sasia ka penguar cilësinë, por besoj se me kalimin e kohës do të shtresohen vlerat më mirë.

Portalb.mk: Cilat janë synimet për ekspozitat e ardhshme dhe cili do të ishte mesazhi i juaj deri tek artistët e rinj?

Reshat Ameti: Ekspozita ime e radhës është në Tetovë në kuadër të jubileut. Si gjithmonë synimet janë të njëjta, të krijoj sa më shumë, të jem sa më shumë në studion time ku është një eksperiencë dhe plotësim total i shpirtit. Megjithatë, nuk do të mungojnë ekspozitat në mbarë botën, sepse me të vërtetë atëherë kupton se je në një tërësi më të madhe të botës.

Mesazhi për të rinjtë do të jetë: Besoni në veten tuaj, punoni sa më shumë për të gjetur të vërtetën tuaj artistike. Kur mos vraponi për famë dhe iluzione të kota, me punë dhe durim do të vijë gjithçka që meritoni dhe përveç faktit që Zoti ju ka dhënë një dhunti të veçantë, është çmimi më i madh që keni fituar!

“…Kur njihesh me pikturën e Reshat Ametit, gjëja e parë që të bën përshtypje është ndjesia e lirisë, liria e ngjyrave dhe e trajtave, gërshetimi i formave gjeometrike me një frymë veshtullore poetike. Shqetësimi, ankthi që ndihet në pëlhurat e tij, është pjesa e universit të tij. Ashtu siç janë ngjyrat e ndezura, të ngrohta, që shpërthejnë si nga një krater. Ashtu siç është një ndjesi mistike, e përzier, siç e ka vënë në dukje kritika, me një qetësi prej shenjti. Kritikët kanë vërejtur në pikturën e Reshat Ametit ngjyrimet shqiptare, ilire dhe latine, pasaporta më e sigurt e këtij arti për t’u pranuar si art evropian. Reshat Ameti bën pjesë në radhët e artistëve që e përgatitin, që e sjellin Evropën mu në mes të Ballkanit dhe që, me po atë siguri, me penelin e tyre, e çojnë Ballkanin mu në qendër të kontinentit. Është prapë historia e ëndrrës e gërshetuar me realitetin: më e bukura dhe më fisnikja aventurë e artit”, ka shkruar Ismail Kadare Paris, 2003.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 753


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>