
Biznesmenët, në veçanti gratë nuk janë të përkrahura nga institucionet apo nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Kështu tha në një intervistë për Portalb.mk afaristja nga Gostivari Gëzime Fejzi. Ajo porositi që çdo vajzë apo grua që ka një ide për biznes të mos hezitojë ta zbatojë në praktikë, pasi siç thotë çdo dështim është mësim.
Portalb.mk: Si arritët të bëheni pjesë e botës së biznesit, na flit pak për fillimet, sfidat, arritjet dhe me çka jeni ballafaquar në hapat e parë?
Gëzime Fejzi: Pasi u shkatërrua Jugosllavia, vendosëm të shpërnguleshim në Itali. Unë punoja në Bankën Popullore apo shërbimi i kontabilitetit shoqëror në qarkullimin e pagesave plot 13 vite. Mirëpo duke e parë që punët shkonin keq, filloi devalvimi i dinarit, i morra dy fëmijët e mi dhe i ’u bashkëngjita bashkëshortit tim. Pasi që unë nuk e njishga gjuhën, fillimisht punoja çfarë do pune. Në vitin 1993, pasi im shoq u emërua si përgjegjës në fabrikë (ku prodhonim mocarrella dhe afër 20 lloj kaçkavall dhe djathëra), mua më punësoi si shitëse në dyqan. Në vitin 1996 pronari e mbylli fabrikën dhe na e dha me qira neve. Atëherë im shoq i ndau punët: ai punonte në prodhim ndërsa mua më tha ti do ta menaxhosh dhe do të merresh me një pjesë të kontabilitetit. Ishte diçka e re për mua që të hy në botën e biznesit e panjohur dhe pa përgatitje. Mirëpo unë kisha shumë vetëbesim në vetvete dhe pastaj fillova punën në menaxhim.
Kur shkoja nëpër institucione (edhe pse gjuhën italiane e flisja mirë), dallohesha nga theksi, dhe kurë kuptonin se unë jam e huaj më ndihmonin shumë. Duke bërë trajnime të ndryshme, u bëra një grua e suksesshme, sipërmarrëse ku shpesh isha e dekoruar me mirënjohjeje të ndryshme.

Portalb.mk: Sa janë të përkrahur biznesmenët në vend dhe me çfarë problemesh ballafaqohen më shume?
Gëzime Fejzi: Në vitin 2003 hapëm fabrikën e dytë në Gostivar. Unë isha e detyruar të vija vetë dhe të jem në krye të fabrikës. Ishte diçka absurde për rrethin dhe më gjerë, se si ka mundësi që në krye të një biznesi e në veçanti prodhimtari të udhëheqë një grua, pasi konsideronin që kjo punë është e burrave. Mirëpo unë në shumë punë dhe luftëra ja dola.
Biznesmenët e në veçanti gratë nuk janë të përkrahura nga institucionet apo nga ana e Qeverisë. Ne jemi vetëm taksa pagues dhe pa asnjë ndihmë nga ana e shtetit. Në vitet 2009 deri në vitin 2011 tre herë kam kërkuar në IPARD fondet dhe nuk kam mundur të marr asnjë fond. Sot ndoshta kanë ndryshuar punët por nuk besoj.
Portalb.mk: Së është i vështirë të mbash gjallë një biznes në Maqedoninë e Veriut dhe sa ka përkrahje institucionale?
Gëzime Fejzi: Është tepër e vështirë të mbahet një biznes në Maqedoninë e Veriut, edhe pse sot në tërë botën ka një krizë ekonomike globale, paramendoni në Maqedoni me çfarë problemesh ballafaqohemi.
Ja përshembull për tatimet, për të dhënat e sigurimit shëndetësor dhe pensional e plus tatim personal, janë shumë të larta gati si në Evropë. Ne me shumë mund dhe punë mbahemi gjallë. Problem tjetër janë edhe bankat që nuk është lehtë të merret kredi.

Portalb.mk: Përveç se në sektorin e biznesit kontributi juaj nuk mungon as në aspektin shoqëror, jeni ideatore e projekteve të ndryshme dhe përkrahëse e grave, sa ka interesim nga ana e grave që të kyçen në këtë sferë?
Gëzime Fejzi: Përveç biznesit puna që më plotëson është edhe pjesëmarrja në shoqata të ndryshme, ku dua ti përkrah graë që duan të hapin një biznes.
Në vitin 2014-2015 (pasi jam anëtare e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore), mora guximin dhe e themelova grupacionin e grave afariste GGA n[ OEMVP, ku për pesë vite u zgjodha kryetare.
E bëra këtë sepse desha t’i motivoj gratë që dëshirojnë të fillojnë bizneset e tyre. Kam punuar në projekte të ndryshme ku u ndihmonim grave me trajnime dhe grande. Po ashtu jam anëtare në shoqatën AAG (Asociacioni për Afirmimin e Gruas), në shoqatën Elite dhe G-100.
Dikur isha një Gëzime sipërmarrëse, sot më gëzon fakti se interesimi i grave për të hapur bizneset e tyre është më i madh në krahasim me vitet e kaluara. Edhe pse hasin në sfida të ndryshme ata marrin guxim që të punojnë për veten e tyre.
Portalb.mk: Si një afariste e suksesshme, cili është mesazhi juaj, çka do ju propozoni grave dhe vajzave të reja që duan të jenë pjesë e biznesit?
Gëzime Fejzi: Si një grua afariste e cila u ballafaqova me sfida të ndryshme por ja dola, mesazhi im është: Të mos hezitojnë, nëse kanë ide, kanë besim në vete le të ja fillojnë punës. Me punë, këmbëngulje, dhe vetëbesim arrihet çdo gjë. Edhe pse do të haseni në vështirësi dhe do të rrëzoheni, mos u frikësoni. Secili dështim, është një mësim e unë atë e quaj sukses.
