Quantcast
Channel: Intervista – Portalb
Viewing all articles
Browse latest Browse all 756

Sabile Sherifi: Hapja e biznesit te ne nuk është proces i lehtë, por i realizueshëm nëse ka përkushtim dhe këmbëngulje

$
0
0
Fotografi nga arkivi personal i Sabile Sherifit. Foto: Sabile Sherifi

Ideja për hapjen e Qendrës për Këshillim Familjar dhe Mbështetje Psiko-Sociale “Aurum” erdhi nga përvoja personale dhe profesionale, si dhe nga vëzhgimet e vazhdueshme të sfidave me të cilat përballen individët dhe familjet në shoqërinë tonë, tha për Portalb.mk Sabile Sherifi drejtoreshë e Qendrës për Këshillim Familjar dhe Mbështetje Psiko-Sociale Aurum. Ajo shtoi se përmes punës saj me gra dhe familje gjatë viteve, ka kuptuar se mungesa e qasjeve të tilla profesionale ishte një boshllëk i madh në shoqërinë tonë. Kjo e ka motivuar të krijojë një vend ku njerëzit të ndihen të dëgjuar, të mbështetur dhe të gatshëm për ndryshim.

Portalb.mk: Sabile na tregoni pak një historik të shkurtër për Qendrën Aurum?

Sabile Sherifi: Qendra Aurum u themelua në qershor 2020, në Shkup, me misionin për të ofruar mbështetje profesionale për familjet dhe individët që përballen me sfida të ndryshme sociale, emocionale dhe psikologjike. E ndërtuar mbi vlera të humanizmit dhe profesionalizmit, qendra synon të fuqizojë familjet dhe individët përmes dy programeve kryesore:

Edukimi dhe aftësimi, program ky i cili përfshin trajnime profesionale, edukative dhe aktivitete për zhvillimin personal, gjithashtu, organizohen fushata ndërgjegjësuese mbi rëndësinë e shëndetit mendor dhe seminare informuese për grupe të ndryshme.

Këshillimi dhe psikoterapia-Përmes këshillimit dhe psikoterapisë, Qendra ofron mbështetje për individët, çiftet dhe familjet. Shërbimet përfshijnë këshillim individual për fëmijë, adoleshente dhe të rritur, këshillim për marrëdhëniet familjare, dhe ndihmë në situata të vështira, duke ofruar zgjidhje konkrete dhe mbështetje emocionale përmes ekipit tonë i përbërë nga profesionistë të kualifikuar dhe me përvojë, të cilët ofrojnë shërbime të specializuara dhe të integruara në përputhje me etikën profesionale. Ekipi multidisiplinar përfshin psikologë, terapist, logopedë dhe ekspertë të tjerë që punojnë së bashku për të siguruar mbështetje të plotë dhe të personalizuar për fëmijët dhe familjet.

Vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe, Qendra Aurum ka realizuar qindra seanca këshillimi dhe psikoterapie, si dhe ka organizuar seminare dhe trajnime të ndryshme profesionale, duke ndikuar pozitivisht te shumë individë dhe familje në nevojë dhe si rezultat i kësaj Qendra Aurum është bërë një pikë referimi për ata që kërkojnë ndihmë profesionale në zgjidhjen e problemeve familjare dhe sociale, duke e vendosur mirëqenien e individit në zemër të të gjitha aktiviteteve tona.

Portalb.mk: Sa është e vështirë për të hapur një biznes në Maqedoninë e Veriut?

Sabile Sherifi: Hapja e një biznesi te ne nuk është edhe proces i lehtë, por e realizueshme gjithsesi nëse ka përkushtim dhe këmbëngulje. Përballesh me shumë sfida, duke filluar nga procedurat burokratike, që kërkojnë kohë dhe një volum të madh dokumentacioni, e deri te kostot fillestare, që shpesh janë të larta për sipërmarrësit e rinj. Për më tepër, mungesa e informacioneve të qarta dhe mbështetjes fillestare për sipërmarrësit mund ta bëjë këtë proces edhe më sfidues. Megjithatë, mundësitë ekzistojnë, por kërkohet përkushtim dhe njohuri për të arritur deri te donacionet apo format e tjera të mbështetjes financiare.

Për Qendrën Aurum, na u desh të investojmë jo vetëm burime materiale, por edhe shumë energji për të krijuar një strukturë profesionale dhe të qëndrueshme që adreson nevojat e shoqërisë ku jetojmë.

Përveç këtyre, një nga pengesat më të mëdha ishte stigmatizimi që ekziston ndaj shërbimeve psikologjike. Fatkeqësisht, shëndeti mendor ende shihej si një tabu nga shumë njerëz, gjë që e bënte të vështirë promovimin dhe pranimin e këtyre shërbimeve edhe pse me kalimin e kohës dukshëm ka filluar një vetëdije më e lartë ndaj shëndetit mendor.

Një sfidë tjetër për mua ishte, se duke pasur parasysh faktin se, në kohën kur do të realizoja idenë e hapjes së Qendrës, u përballa me pandeminë COVID-19.Pandemia e vështirësoi procesin, sepse shumë biznese po mbylleshin, ndërsa unë po përpiqesha të hapja një të ri. Por, kjo u tejkalua duke filluar me shërbimet online, si seanca psikologjike, seminare dhe ligjërata ndërgjegjësuese, deri në stabilizimin e situatës. Falë këshillave profesionale dhe bashkëpunimit me profesionistë, arrita t’i tejkaloj këto sfida.

Për ne, hapja e një qendre të tillë ka qenë një përpjekje për të thyer barrierat dhe për të krijuar një hapësirë ku familjet dhe individët të ndihen të sigurt dhe të mbështetur.

Fotografi nga aktivitetet Sabile Sherifit. Foto: Sabile Sherifi
Fotografi nga aktivitetet Sabile Sherifit. Foto: Sabile Sherifi

Portalb.mk: Nga ju erdhi ideja për hapjen e kësaj Qendre dhe sa keni pasur mbështetje institucionale?

Sabile Sherifi: Ideja për hapjen e Qendrës Aurum erdhi nga përvoja personale dhe profesionale, si dhe nga vëzhgimet e vazhdueshme të sfidave me të cilat përballen individët dhe familjet në shoqërinë tonë. Gjithmonë kam ndjerë një nevojë të madhe për një hapësirë që ofron mbështetje të specializuar psikologjike dhe sociale, ku individët mund të gjejnë zgjidhje për situata të vështira pa frikë nga stigmatizimi apo paragjykimet.

Përmes punës sime me gra dhe familje gjatë viteve, kuptova se mungesa e qasjeve të tilla profesionale ishte një boshllëk i madh në shoqërinë tonë. Kjo më motivoi të krijoj një vend ku njerëzit të ndihen të dëgjuar, të mbështetur dhe të gatshëm për ndryshim.

Sa i përket mbështetjes institucionale, duhet të them se ajo ka qenë e kufizuar në fillimet tona. Ishte një sfidë të sigurohej mbështetje e drejtpërdrejtë nga institucionet publike. Megjithatë, falë bashkëpunimit me disa individë dhe përkrahës, arritëm të ndërtonim themelet e Qendrës dhe të ofronim shërbimet e para. Me kalimin e kohës dhe realizimin e projekteve të ndryshme, kemi arritur të sigurojmë mbështetje si nga fondacionet, ashtu edhe nga institucionet publike dhe po punojmë që ky bashkëpunim të forcohet duke pasur parasysh natyrën e shërbimeve që ofrojmë dhe ndikimin pozitiv që mund të kenë këto shërbime në lehtësimin e situatës tek ne.

Portalb.mk: Çfarë këshilla ju jepni familjarëve dhe çfarë mbështetje ju ofroni?

Sabile Sherifi: Këshilla ime për familjarët është që të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmë kur ndiejnë se janë përballur me sfida që nuk mund t’i zgjidhin vetë. Shpesh, ndihma e jashtme, si këshillimi apo terapitë mund të bëjnë një ndryshim të madh në forcimin e lidhjeve familjare dhe në zgjidhjen e problemeve të brendshme. Nuk ka turp të kërkosh ndihmë – është një shenjë e forcës dhe e dëshirës për të përmirësuar gjendjen emocionale dhe shpirtërore të familjes.

Gjendja emocionale e një anëtari të familjes mund të reflektojë në të gjithë grupin familjar. Kur një individ përballet me shqetësime, ato ndikojnë edhe në atmosferën e shtëpisë dhe mund të krijojnë tensione. Prandaj, është shumë e rëndësishme që problemet të trajtohen jo vetëm në nivelin individual, por edhe në atë të familjes. Kur punojmë me individin, ne punojmë gjithashtu me gjithë familjen, sepse çdo anëtar ka një rol të rëndësishëm në mbështetje dhe në procesin e shërimit.

Në Qendrën Aurum, ne ofrojmë mbështetje për të gjithë anëtarët e familjes përmes shërbimeve të këshillimit dhe psikoterapisë, duke u fokusuar në përmirësimin e komunikimit dhe forcimin e lidhjeve familjare mes anëtarëve. Ne ofrojmë mbështetje për prindërit dhe vështirësitë që hasin gjatë rritjes dhe edukimit të fëmijëve, këshillime për çiftet, mbështetje psikologjike për gratë viktima të dhunës në familje, si dhe mbështetje psikologjike për prindërit me fëmijë me nevoja të veçanta.

Një aspekt që është shumë i rëndësishëm për ne është ofrimi i privatësisë maksimale për çdo klient. Kjo ka krijuar një nivel të lartë besimi tek ata dhe ka ndihmuar shumë individë dhe familje të ndihen të sigurt dhe të hapur për të kërkuar mbështetje tek ne. Kjo siguri është shumë thelbësore për suksesin e shërbimeve tona.

Me gjithë këtë angazhim qëllimi ynë është të krijojmë një mjedis të sigurt dhe mbështetës, ku çdo anëtar mund të shprehë shqetësimet dhe të gjejë ndihmën e nevojshme. Kjo ndihmon jo vetëm individin, por gjithashtu kontribuon në rritjen e mirëqenies së gjithë familjes.

Fotografi nga aktivitetet Sabile Sherifit. Foto: Sabile Sherifi
Fotografi nga aktivitetet Sabile Sherifit. Foto: Sabile Sherifi

Portalb.mk: Çka ju ofron fëmijëve Qendra Aurum?

Sabile Sherifi: Qendra Aurum ofron shërbime të specializuara për fëmijët, duke u fokusuar në këshillimin dhe psikoterapinë individuale dhe grupore për të adresuar probleme të ndryshme që ata mund të përjetojnë. Qasja jonë profesionale mbështet fëmijët që përballen me sfida emocionale, sociale dhe të sjelljes, duke siguruar një ambient të sigurt dhe mbështetës për zhvillimin e tyre të shëndetshëm.

Pjesë e rëndësishme e shërbimeve tona janë trajtimet logopedike, të cilat ndihmojnë fëmijët që përballen me vështirësi në të folur, të kuptuar ose të shprehur.

Ndërkohë, si qendër ofron edhe programin inovativ IQ Brain Trening, kurs i dedikuar për zhvillimin e inteligjencës dhe aftësive kognitive. Ky program, i sjellë nga Kosova dhe përfaqësuar ekskluzivisht nga ne, stimulon mendimin kritik dhe kreativitetin e fëmijëve, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë potencialin intelektual.

Risia jonë më e madhe është Neurosound, një metodë moderne dhe efektive për të trajtuar shqetësimet e shëndetit mendor dhe zhvillimit akademik përmes terapisë me tinguj auditiv. Si përfaqësues ekskluziv për Maqedoninë e Veriut, ky program ndihmon në përqendrimin, reduktimin e stresit dhe përmirësimin e aftësive për të mësuar, duke ofruar rezultate të avancuara për fëmijët që kanë nevojë për mbështetje shtesë si dhe shqetësimeve tjera që përballen fëmijët.

Për këto vite, shërbimet tona kanë qenë një burim i rëndësishëm mbështetjeje për shumë fëmijë dhe adoleshentë, të cilët shpesh na kontaktojnë të vetëdijshëm për nevojat e tyre. Kjo qasje tregon rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve për rëndësinë e kujdesit për shëndetin e tyre emocional dhe psikologjik. Përmes këshillimit dhe programeve të specializuara, kemi ndihmuar ata të përballojnë sfida të ndryshme, duke i ndihmuar të ndërtojnë vetëbesim, të përmirësojnë marrëdhëniet sociale dhe të arrijnë potencialin e tyre akademik dhe personal. Rrugëtimi ynë ka qenë i mbushur me histori suksesi, të cilat na motivojnë të vazhdojmë me përkushtim ndaj mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve.

Të gjitha këto aktivitete zhvillohen nga ekipi ynë profesional dhe multidisiplinar i trajnuar specifikisht për këto shërbime dhe për të ofruar mbështetje të sigurt dhe efektive.

Fotografi nga arkivi personal i Sabile Sherifit. Foto: Sabile Sherifi
Fotografi nga arkivi personal i Sabile Sherifit. Foto: Sabile Sherifi

Portalb.mk: Cilat programe për fëmijë i ofron qendra Aurum?

Sabile Sherifi: Programe të specializuara që ofrojmë për fëmijët dhe që kanë ndikim të dukshëm , duke u fokusuar në zhvillimin e aftësive intelektuale, emocionale dhe sociale janë

Programi ynë kryesor është IQ Brain Trening, i cili ka për qëllim përmirësimin e aftësive kognitive të fëmijëve përmes aktiviteteve që stimulojnë mendimin kritik, përqendrimin dhe kreativitetin. Ky program ka ndikim të madh në zhvillimin e inteligjencës dhe në përgatitjen e fëmijëve për sfidat akademike dhe sociale.

Gjithashtu, ne përdorim Neurosound, një program inovativ që përmirëson shëndetin mendor dhe zhvillimin akademik përmes terapisë me tinguj auditiv. Ky program ka një ndikim të madh në fëmijët që kanë vështirësi me përqendrimin, menaxhimin e stresit dhe përmirësimin e aftësive për të mësuar.

Të dy këta programe janë dizajnuar për të ndihmuar fëmijët të zhvillohen në mënyrë të balancuar dhe për të përmirësuar performancën e tyre akademike dhe emocionale. Ata kontribuojnë në forcimin e besimit dhe ndihmojnë fëmijët të bëhen më të gatshëm për të përballuar sfidat e përditshme.

Portalb.mk: Cilat janë programet që ju kanë sjellë më tepër suksese ?

Sabile Sherifi: Programet që kanë sjellë më tepër suksese përfshijnë një kombinim të mbështetjes psikologjike dhe programeve inovative për zhvillimin personal dhe akademik të fëmijëve. Disa prej tyre janë:

Programi i mbështetjes psiko-sociale – Këshillimi dhe psikoterapia janë disa nga shërbimet që kanë pasur një ndikim të madh, pavarësisht stigmatizimit të shëndetit mendor. Programi ka sjellë një rritje të dukshme të numrit të individëve që kërkojnë ndihmë, duke treguar se ka një nevojë të madhe për mbështetje psikologjike. Ky program ka ofruar një mundësi për shumë individë dhe familje që të trajtojnë shqetësimet dhe të përmirësojnë mirëqenien e tyre emocionale të cilët edhe pas marrjes së shërbimit na kontaktojnë dhe referojnë të tjerët te ne.

Fotografi nga aktivitetet Sabile Sherifit. Foto: Sabile Sherifi
Fotografi nga aktivitetet Sabile Sherifit. Foto: Sabile Sherifi

Programi IQ Brain Trening, edhe pse ka filluar shpejt, po ndihmon fëmijët të zhvillojnë inteligjencën dhe aftësitë e tyre mendore përmes ushtrimeve dhe aktiviteteve të veçanta., ky program ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e performancës akademike dhe përmirësimin e aftësive tek fëmijët.

Programet Neurosound dhe Mental Timer, Ky është një nga programet që ka sjellë sukses në përmirësimin e performancës shkollore dhe ndihmon në zhvillimin personal dhe emocional te fëmijëve.

Këto programe, së bashku me mbështetje të gjithanshme për familjet dhe fëmijët, kanë kontribuar në një përmirësim të dukshëm të cilësisë së jetës dhe kanë krijuar mundësi të reja për ata që kërkojnë ndihmë.

Portalb.mk: Cili do të ishte mesazhi i juaj deri te sipërmarrëset e reja?

Sabile Sherifi: Ndiqni ëndrrat dhe synimet tuaja, por jini gjithashtu të përgatitura për sfidat që do të paraqiten gjatë rrugës. Sipërmarrja është një udhëtim i shoqëruar me mundësi, por gjithashtu kërkon sakrifica, durim dhe përpjekje të vazhdueshme. Mbi të gjitha, duhet të jeni pragmatike, sepse çdo ide e shkëlqyer kërkon një plan të kujdesshëm dhe ekzekutim të saktë.

Ruani gjithmonë vlerat dhe parimet tuaja, ofroni shërbime të besueshme dhe me përgjegjësi ndaj klientëve tuaj, duke krijuar besim dhe marrëdhënie afatgjate dhe keni parasysh etikën dhe cilësinë sepse janë çelës për suksesin dhe reputacionin tuaj.

Dështimet janë të pashmangshme, por ato janë gjithashtu mundësi për të mësuar dhe për të rritur biznesin tuaj. Suksesi nuk vjen menjëherë, por me këmbëngulje dhe përpjekje të vazhdueshme, gjithçka është e mundur.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 756

Latest Images



Latest Images

<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>